Telegrafi

Gruaja e George Floyd i drejtohet mediave, me vete kishte marrë edhe të bijën – nuk mund të ndalte lotët derisa fliste

Roxie Washington dhe i ndjeri George, që ndërroi jetë derisa policia po e arrestonte, kanë një vajzë 6-vjeçare. E ëma e saj së bashku me të kanë folur gjatë një konference për media.

“Në fund të ditës, të gjithë po i kthehen familjeve. Giana nuk e ka më babanë. Kurrë nuk do ta sheh duke u rritur, të shkoj në mbrëmje të maturës. Kurrë nuk do të jetë aty për ta dërguar në altar. Nëse ka ndonjë problem, nuk do ta ketë babanë për t’iu drejtuar”, filloi fjalimin e saj Roxie që nuk mund të ndalte lotët, derisa 6-vjeçarja qëndronte pranë të ëmës, transmeton Telegrafi.

Obduksionin e pavarur që e ka kërkuar familja e të ndjerit Floyd, ka treguar se ai kishte ndërruar jetë nga asfiksimi. Në anën tjetër, polici Derek Chauvin është shkarkuar dhe arrestuar e akuzuar për vrasje, derisa tre kolegët e tij që në ditën e kobshme po arrestonin Floydin, gjithashtu janë shkarkuar nga policia.

Familjarët e të ndjerit kërkojnë proces gjyqësor të pavarur si dhe dënim të merituar ndaj Chauvinit. E vdekja e Floyd ka shkaktuar një valë të protestave të dhunshme në mbarë SHBA-të.

E pasi që ka esklauar situata në shumë qytete amerikane, presidenti Donald Trump ka kërcënuar me dërgimin e ushtrisë, nëse gjërat nuk vihen nën kontroll nga policia.

Por, familjarët e George Floyd janë kundër dhunës, pasi që kanë bërë thirrje të ftohen gjakrat duke kërkuar thjesht vetëm drejtësi.

“Jam këtu për shkak të vajzës tonë. Meriton drejtësi dhe çfarëdo që të tjerët kanë menduar për të, ju them se ai ka qenë njeri i mirë”, ka shtuar Roxie Washington. /Telegrafi/