Site icon Telegrafi

“Gruaja, burrë i fortë”, deputeti Berisha akuzohet për gjuhë fyese ndaj grave në Kuvend

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, ka përdorur një shprehje në seancën e sotme të Kuvendit, e cila ka ngjallur reagime.

Duke folur për marrëveshjen e nënshkruar mes Kosovës dhe MCC-së, ai përmendi edhe një pikë të saj, ku theksohet nevoja për punësim të grave në sektorin e energjisë.

Duke ironizuar, Berisha tha se “dhashtë Zoti që dikush që e ka gruan burrë të fortë të gjejë nga kjo shpëtim”.

Ndaj kësaj deklarate reagoi deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Isufi, e cila kërkoi të dijë se çka nënkupton kjo.

“Desha ta bëj një reagim të shkurtër lidhur me fjalën e deputetit të PDK-së, Hisen Berisha. E citoj një pjesë kur thotë ‘dikush që e ka gruan shumë të fortë’, a ka mundësi të na tregojë çfarë do të thotë kjo”, u shpreh Isufi.

Në debat u përfshi edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili kërkoi që mos të përdoren fjalë ose terme diskriminuese, fyese dhe ofenduese.

“Nuk e paskam dëgjuar këtë pjesë të cilës iu referua deputetja Iusufi. Ju lus edhe një herë të nderuar deputetë ta mbajmë fjalorin parlamentar. Të mos lëshohemi në përdorimin e terminologjisë që është diskriminuese, fyese, ofenduese”, tha Konjufca. /Telegrafi/

Exit mobile version