Site icon Telegrafi

Gruaja amerikane e punësuar në Komisionin Evropian, nga Franca e quajnë “një skandal”

Ministri francez i Tranzicionit Dixhital dhe Telekomunikacionit, Jean-Noel Barrot, i ka bërë thirrje Komisionit Evropian të rishqyrtojë emërimin e amerikanes Fiona Scott Morton në një post kyç që lidhet me “rregullimin e gjigantëve të teknologjisë amerikane”.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, reagimi vjen pasi ekzekutivi i BE-së njoftoi të martën se Fiona Scott Morton, një profesoreshë e ekonomisë në Universitetin Yale, do të shërbejë nga shtatori si krye-ekonomistja e re në njësinë antitrust të komisionit.

“Kur Evropa po hyn në rregullimin dixhital më ambicioz në botë, emërimi i fundit ka ngritur shqetësime legjitime”, ka shkruar ai në një postim në Twitter, duke i bërë thirrje Komisionit Evropian të rishqyrtojë zgjedhjen e tij.

Njësia ku do të angazhohet ajo është e ngarkuar të sigurojë që tregjet e BE-së të mbeten konkurruese – duke përfshirë sigurimin që titanët e teknologjisë amerikane të mos abuzojnë me dominimin e tyre në treg.

Scott Morton shërbeu si zëvendës ndihmës prokurore e përgjithshme për ekonominë në divizionin antitrust të Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së në 2011 dhe 2012.

Ky rol, si dhe këshillimi i punës për firmat e teknologjisë si Apple dhe Microsoft, ka ngjallur kritika rreth emërimit të Scott Morton nga i gjithë spektri politik francez.

“Punësimi i një lobisti amerikan për GAFAM-in kur Evropa më në fund ka vendosur të kufizojë fuqinë e tyre… është në rastin më të mirë e ngathët, në rastin më të keq e rrezikshme”, ka vlerësuar eurodeputeti konservator francez Geoffroy Didier, duke përdorur një akronim për kompanitë e teknologjisë amerikane Google, Amazon, Facebook, Apple dhe Microsoft.

Ai i bëri thirrje Komisionit të rimendojë emërimin e saj, i cili vjen pasi BE-ja duhet të zbatojë legjislacionin e ri për të rregulluar sektorin.

Ndërkohë ligjvënësi Yannick Jadot e quajti emërimin e Scott Morton një shkelje të etikës dhe një skandal.

Në anën tjetër, një zëdhënëse ka thënë se Komisioni kishte shqyrtuar plotësisht nëse ndonjë nga lidhjet e Scott Morton do të rrezikonte pavarësinë e saj.

Por një ligjvënës nga partia e Rilindjes së presidentit francez Emmanuel Macron, Benjamin Haddad, e quajti të pashpjegueshëm vendimin për të punësuar Scott Morton.

“Asnjë shtetas evropian nuk kishte përvojën e nevojshme?”, shtroi pyetjen ai në Twitter. /Telegrafi/

Exit mobile version