Një grua 83-vjeçare në Francë e cila ishte raportuar e zhdukur për pesë ditë u gjet e bllokuar brenda një makine të enjten në mëngjes.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, Chantal Bas u pa për herë të fundit në rajonin Midi-Pyrenees të Francës jugore, të shtunën më 24 prill.
Familja e saj u drejtua në polici të hënën, pasi gruaja e moshuar nuk arriti të kthehej në shtëpinë e saj që gjendet në fshatin Aujols.
Pas u krye një kontroll e plotë e zonës, vajza e 83-vjeçares thuhet se gjeti makinën e nënës së saj të enjten në mëngjes, në pjesën e poshtme të një shtegu pyjor në qytetin fqinj të Arcambal.
Autoritetet deklaruan se gruaja ishte bllokuar në automjetin e saj “për disa ditë” në një deklaratë të lëshuar të enjten.
Zjarrfikësit u detyruan të prisnin automjetin në mënyrë që ta nxirrnin në siguri gruan e cila ishte “me ndjenja por e çorientuar”.
Policia e përcaktoi se Bas kishte qenë viktimë e një aksidenti trafiku dhe konfirmoi se ajo u dërgua në spital për kontroll të mëtejshëm.
Nuk dihet saktësisht se në cilën ditë ndodhi aksidenti, por autoritetet besojnë se gjyshja kaloi tre deri në pesë ditë e bllokuar në makinën e saj. /Telegrafi/