Site icon Telegrafi

Gropa që nuk mbyllet!

Ka tash e disa muaj që rruga “Mustafa Kruja”, në Prishtinë nuk po mund të vije në vete, sepse në një pjesë të kësaj rruge tash e disa muaj vazhdimisht hapet dhe mbyllet një gropë.

Në arsyetimin të cilin e ka dhënë Komuna e Prishtinës, në lidhje më mbylljen dhe hapjen e vazhdueshme të kësaj grope, thuhet se ky është projekt i Kompanisw sw Ujësjellësit Rajonal (KUR) “Prishtina”, projekt i cili sipas tyre, mbikëqyret nga niveli qendror e jo nga komuna.

Nga zyra për informim e komunës së Prishtinës, kanë theksuar se fjala është për ndërtimin e kanalizimit, përkatësisht ndarjen e ujërave atmosferikë dhe atyre fekalë.

“Ne jemi të vetëdijshëm për ankesat e qytetarëve dhe ato ankesa i kemi përcjellë, mirëpo punët nuk janë të kontraktuara nga ne”, kanë treguar nga kjo zyrë.
Zëdhënësja e KUR “Prishtina”, Arjeta Mjeku, ka thënë për Telegrafin se janë në dijeni se në rrugën “Mustafë Kruja” tash e disa muaj hapet dhe mbyllet kjo gropë.

Ajo ka sqaruar se kjo gropë për herë të parë është hapur para një viti, me shkakun e vetëm sipas saj, ndërtimin e pusetës kryesore për ndarje të sistemeve të ujërave të ndotura, duke shtuar se KUR”Prishtina” ka punuar aty.

“Më pas, hapja e gropës ka filluar t’i dëmtojë disa biznese përreth, pra ka penguar funksionimin e tyre, dhe me kërkesën e tyre është mbyllur sërish, pasi që punët ishin kryer në disa segmente. Para disa muajve, pas reshje të vazhdueshme atmosferike, me ç’rast ndodhën edhe vërshime në disa zona të kryeqytetit, ku për rastin konkret, në afërsi të një shtëpie, vërshimet i kanë shkaktuar dëme një banori të asaj lagje, dhe ne si ekipe të ujësjellësit, që t’i ndihmojmë atij konsumatori, e kemi hapur sërish gropën që të punojmë edhe në disa segmente të rrjetit të kanalizimit”, tha Mjeku.

Ajo ka sqaruar se aktualisht janë duke punuar, pasi vendi është njëfarë ‘dhome kryesore e kanalizimit. “Ekipet tona pritet që deri në fund të javës së ardhshme të përfundojnë punimet dhe përfundimisht ta mbyllin gropën”, thotë zëdhënësja Arjeta Mjeku.
Mjeku ka kërkuar mirëkuptim e banorëve të kësaj pjese deri në zgjidhen e plotë të problemit. /Telegrafi/

Exit mobile version