Site icon Telegrafi

Gropa gjigante në rrugën Mavrovë – Dibër, banorët kërkojnë zgjidhje të përhershme

Gropa gjigande që u hap dje në mes të rrugës rajonale Mavrovë-Dibër, afër fshatit Kostovrast i Poshtëm, është e gjerë afro 3 metra dhe e thellë rreth 10 metra.

Ashtu si edhe herëve tjera, gropa është mbuluar, por banorët thonë se duhet të merren masa më serioze. Para kamerës nuk deshën të flasin, por në emër të fshatarëve folën përmes një shkrimi nga bashkësia lokale e fshatit Kosovrast i Poshtëm.

“Ujërat nëntokësore dhe ndërtimi jo i plotë, i pjesshëm, i kanalit në atë pjesë të rrugës janë shkak i mundshëm i shfaqjes dhe përsëritjes së gropës, përkatësisht gypat e betonit përfundojnë verbërisht nën asfalt menjëherë aty ku hapet gropa. Vetëm mbushja dhe bllokimi i gropës që, pa ndërhyrë në kanalin e poshtëm, nuk do të zgjidhet kurrë problem. Apelojmë tek institucionet kompetente, Fondi i rrugëve, Rruga e Maqedonisë, që të marrin masat e duhura për zgjidhjen e përhershme të problemit”, thonë nga Bashkësia Lokale Kosovrast i Poshtëm

TV21 kontaktoi edhe ndërmarrjen Shtetërore “Rrugët e Maqedonisë” për t’i pyetur se cili është plani për mbylljen e kësaj grope dhe që kjo gjendje të mos përsëritet më, por nuk morëm përgjigje.

Exit mobile version