Në kuadër të vizitës së punës në Vjenë të Austrisë, zëvendëskryeministrja përgjegjëse për politika të qeverisjes së mirë, Sllavica Gërkovska, sot pati takim me Sekretaren e Përgjithshme të OSBE-së, Helga Schmid.
Gërkovska theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut e mori presidencën e OSBE-së në një moment shumë të ndjeshëm, duke pasur parasysh se bota, veçanërisht Evropa, po përballet me një kërcënim të sigurisë pas agresionit ndaj Ukrainës, i cili gjithashtu rezultoi me krizën energjetike dhe ekonomike, dhe sigurisht që është edhe kriza post-covid.
Ajo theksoi se qytetarët luftojnë çdo ditë dhe i ndjejnë pasojat e këtyre sfidave dhe pikërisht për këtë politikanët kanë përgjegjësi të madhe që të gjejnë zgjidhje të shpejta dhe efikase dhe të kujdesen për interesat e qytetarëve.
Bashkëbiseduesit u referuan edhe për rëndësinë e gruas në të gjitha proceset shoqërore dhe botërore, ndërsa Gërkovska informoi për iniciativën ndërkombëtare që ka nisur, e cila ka të bëjë me bashkimin e grave lidere në proceset e qeverisjes së mirë dhe përballjes me korrupsionin nga Evropa juglindore në një Forum ndërkombëtar./Telegrafi/