Telegrafi

Grkovska – Holstein: Gjermania mbetet një mbështetëse e fortë e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj drejt BE-së

Zv. kryeministri i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, e ngarkuar për politikat për qeverisje të mirë, Sllavica Grkovska sot ka zhvilluar një takim lamtumirës me ambasadoren e Republikës Federale të Gjermanisë, Anke Holstein.

Grkovska me këtë rast falënderoi ambasadoren Holstein për bashkëpunimin e suksesshëm gjatë mandatit të saj në Maqedoninë e Veriut, si dhe për mbështetjen e dhënë në rrugën drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

“Anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian mbetet objektiv strategjik për Republikën e Maqedonisë së Veriut. Duke pasur parasysh këtë, prioritet kyç është realizimi i reformave efikase që do të nënkuptojnë integrim ekonomik, konsolidim të legjislacionit dhe institucioneve dhe shtet të së drejtës. Maqedonia e Veriut mbetet e vendosur për të ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bashkëpunim rajonal.

Në të njëjtën kohë, zëvendëskryeministrja Grkovska i uroi suksese ambasadores Holstein në punën e saj të mëtutjeshme në karrierën e saj diplomatike, e bindur se Gjermania do të mbetet një mbështetëse e fortë e vendit tonë në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftimin e Qeverisë./Telegrafi/