Site icon Telegrafi

Grkovska – Grabenwarter: Duhet të përmirësohet cilësia e gjyqtarëve kushtetues, vetëm në këtë mënyrë do të forcohet besimi në Gjykatën Kushtetuese

Në kuadër të vizitës së punës në Vjenë, zv. kryeministrja përgjegjëse për politika të qeverisjes së mirë, Sllavica Grkovska, sot ka takuar kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Austrisë, Christoph Grabenwarter, njoftojnë nga shtypi i Qeverisë.

Grkovska theksoi rëndësinë e krijimit të zgjidhjeve sistematike që do të garantojnë pavarësi dhe profesionalizëm në vendimmarrje, pavarësisht se për cilin institucion bëhet fjalë. Kjo, shtoi ajo, është veçanërisht e rëndësishme për Gjykatën Kushtetuese, e cila është gardiane e rendit kushtetues dhe e të drejtave të qytetarëve.

Grabenwarter theksoi se është shumë e rëndësishme të forcohet kultura kushtetuese në një vend, e cila është parakusht për përparimin e sistemit.

“Në këtë drejtim, Grkovska informoi për aktivitetet e ndërmarra nga Kabineti për Politika të Qeverisjes së Mirë, të cilat janë në drejtim të avancimit të politikave kundër korrupsionit, por edhe forcimit të sistemit të meritës, veçanërisht në sistemin e drejtësisë, ku kushte specifike janë të nevojshme për përzgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Austrisë, Grabenwarter, theksoi se politika dhe gjyqësori duhet të ndahen, praktikë kjo e vendosur në Austri. Kjo, theksoi ai, siguron rritje të vazhdueshme të cilësisë, ndërkohë që rregulloret nuk ndryshojnë. Është një praktikë e mirë evropiane për të cilën duhet të përpiqemi./Telegrafi/

Exit mobile version