Telegrafi

Grkovska në takim me Schwartz: Lufta kundër korrupsionit nuk është proces i thjeshtë

Zëvendëskryeministrja përgjegjëse për politika të qeverisjes së mirë, Sllavica Grkovska, në kuadër të vizitës së punës në SHBA, realizoi takim me Bruce Schwartz, zëvendës ndihmës i Prokurorit të Përgjithshëm të SHBA-së.

Siç thuhet në njoftimin e Qeverisë, Schwartz vlerësoi lartë rolin e zëvendëskryeministrit në luftën kundër korrupsionit dhe përshëndeti faktin se Ligji për konfiskimin e pronës në procedurë civile tashmë është në procedurë parlamentare. Në takim u ra dakord për një shkëmbim të ardhshëm të praktikave të mira mes dy vendeve, sepse në SHBA përdoret konfiskimi pa dënim.

“Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord se korrupsioni është një problem i pranishëm kudo dhe se ndrydhja e tij nuk është një proces i thjeshtë. Në këtë drejtim, zëvendëskryeministrja Grkovska theksoi se në këtë luftë është e nevojshme që të gjitha institucionet kompetente t’i kryejnë detyrat e tyre me përgjegjësi dhe profesionalizëm dhe se mediat, gazetarët hulumtues dhe organizatat e shoqërisë civile janë partnerë të institucioneve”, thuhet në njoftim.

Grkovska theksoi se institucionet e drejtësisë nuk duhet ta shfrytëzojnë pavarësinë e tyre për të krijuar një zonë komforti dhe duhet të ketë sanksione për gjyqtarët dhe prokurorët që veprojnë në mënyrë të kundërligjshme. Në takim u diskutua edhe për mbështetjen që Maqedonia e Veriut merr nga partnerët strategjikë, të cilët vazhdimisht investojnë në forcimin e kapaciteteve tona në sistemin e drejtësisë, por që duhet të ketë rezultate të dukshme, raste cilësore dhe konfiskime të suksesshme.