Zëvendëskryeministrja përgjegjëse për politika të qeverisjes së mirë, Sllavica Grkovska, ka zhvilluar sot një takim pune me ambasadoren e SHBA-së në Maqedoninë e Veriut, Angela Aggeler, ku kanë biseduar për një sërë temash aktuale lidhur me sundimin e ligjit dhe proceset reformuese në vend.
Siç thuhet në njoftimin e Qeverisë, zv.kryeministrja Grkovska falënderoi për mbështetjen e përgjithshme në këtë fushë dhe theksoi rëndësinë e partneritetit strategjik me SHBA-në në zbatimin e politikave kryesore reformuese.
Grkovska e informoi Aggelerin për aktivitetet e udhëhequra nga kabineti i saj, duke përfshirë zgjidhjet e propozuara ligjore që janë në fazën përfundimtare të përgatitjes, të cilat synojnë forcimin e mekanizmave dhe mjeteve kundër korrupsionit, si dhe inkorporimin e qëndrueshëm të parimeve të qeverisjes së mirë në sektorin publik.
“Në takim u diskutua edhe për gjendjen në gjyqësor dhe ndryshimet strukturore që janë të nevojshme për tejkalimin e sfidave të shumta në këtë fushë dhe nga të cilat varet suksesi i përpjekjeve të përbashkëta për përparim në përballjen me krimin dhe korrupsionin në vend”.
“Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord se përmirësimi i transparencës është çelësi për zgjidhjen e shumë pikave problematike në sistem, pasi në këtë mënyrë forcohet besueshmëria e institucioneve dhe njëkohësisht mbrohen profesionistët e vërtetë që janë pjesë e tyre. Në këtë drejtim u theksua rëndësia e vendosjes së një sistemi solid të meritave në përzgjedhjen e titullarëve dhe nëpunësve publikë, ndërsa transparenca e përzgjedhjes dhe procedurave është e një rëndësie thelbësore dhe rrit besimin e qytetarëve tek institucionet”, thuhet në njoftim.