Shoqata italiane e mjekëve dhe e kirurgëve ka bërë thirrje për një bllokim mbarëkombëtar derisa vendi përballet me rritje të rasteve nga coronavirusi, dhe me rritjen e pranimit të njerëzve në spitale si dhe pacientëve në njësinë e kujdesit intensiv.
Nëse trendi vazhdon, Italia do të regjistrojë edhe 10 mijë viktima në një muaj, tha të dielën presidenti i shoqatës Filippo Anelli.
“Mesatarisht gjatë javës së kaluar kemi regjistruar 1,000 pacientë të hospitalizuar për një ditë, 110 në kujdes intensiv, 25 mijë në izolim shtëpiak dhe 300 viktima në një ditë”, u shpreh ai.
Nëse kjo tendencë mbetet e pandryshuar, atëherë në një muaj do të mund të regjistrohen 10 mijë viktima të tjera dhe do të tejkalohet pragu i 5,000 shtretërve në kujdesin intensiv sipas presidentit të shoqatës.
“Skenari që qëndron përpara është dramatik, jo vetëm për trajtimin e pacientëve me COVID-10, por mbi të gjitha për trajtimin e të gjithë pacientëve me sëmundje të tjera”, theksoi Anelli.
Italia tashmë gjendet nën shtetrrethim nga ora 22:00 deri në 5 të mëngjesit, përderisa edhe baret dhe restorantet duhet të mbyllen në ora 18:00. Disa zona të caktuara po përballen me kufizime më të ashpra.
Banorët në rajonet e zonës së kuqe sikurse në Lombardi, Piemonte, Valle d’Aosta dhe në Kalabri – mund të largohen nga shtëpia vetë për nevojat thelbësore.
Anelli tha më tej se nevojiten masa drastike të tilla sikurse një bllokim total, për të shmangur mbingarkesën e spitaleve në fund të dhjetorit dhe të janarit, me pacientët e sëmurë nga coronavirusi dhe gripi i zakonshëm.