Site icon Telegrafi

Gripi i shpendëve po vret fokat dhe luanët e detit – shkencëtarët nuk po dinë se si ta ndalojnë

Gripi i shpendëve po vret dhjetëra mijëra foka dhe luanë deti në pjesë të ndryshme të botës, duke prishur ekosistemet dhe duke tronditur shkencëtarët të cilët nuk po gjejnë zgjidhje për ta ngadalësuar virusin shkatërrues.

Përhapja mbarëbotërore e gripit të shpendëve ka filluar që në vitin 2020 dhe ka çuar në ngordhjen e miliona zogjve.

Ky virus nuk mendohet të jetë një kërcënim i madh për njerëzit, por përhapja e tij ka shkaktuar trazira të gjera ekonomike.

Bëhet e ditur se të prekshëm ndaj sëmundjes deri më tash veçanërisht janë fokat dhe luanët e detit, shkruan yahoonews, përcjell Telegrafi.

Virusi i zbuluar në brigjet lindore dhe perëndimore të SHBA-së ka çuar në ngordhjen e më shumë se 300 fokave në New England dhe në Puget Sound të Uashingtonit.

Situatë më e rëndë është në Amerikën e Jugut, ku vetëm në Kili dhe Peru kanë ngordhur mbi 20 mijë luanë deti.

Gripi mund të jetë i kontrollueshëm te kafshët e buta, por mund të bëhet i pakontrolluar te ato të egra si fokat e Amerikës së Jugut.

“Sapo virusi është në botën e egër, ai përhapet si zjarr”, tha Marcela Uhart, drejtoreshë e programit të Amerikës Latine në Karen C. Drayer Wildlife Health Center në Universitetin e Kalifornisë.

Edhe pse deri më tash një numër i madh i fokave kanë ngordhur, shkencëtarët ende nuk e kanë kuptuar se si ato janë infektuar.

Me gjasë, nga kontakti me shpendët e tjerë.

Ngordhja e fokave dhe luanëve të detit thuhet se prish ekosistemet ku gjitarët detarë shërbejnë si grabitqarë kryesor.

Me sa duket, një prej arsyeve që fokat dhe luanët e detit janë bërë më të ndjeshëm ndaj sëmundjeve është edhe ndryshimi i klimës dhe rritja e temperaturës së oqeaneve.

Por, shkencëtarët shpresojnë se vaksinimi i shpendëve do të ndihmojë në pakësimin e sëmundjes, gjithmonë duke theksuar se njerëzit duhet të shmangin kontaktin me ato kafshë. /Telegrafi/

Exit mobile version