Site icon Telegrafi

Gripi, fluksi i madh në ambulancat e Tetovës

Është rritur numri i të prekurve nga gripi sezonal, si pasojë e mungesës së borës, ndotjes dhe mjegullës në rajonin e Pollogut javët e fundit. Mjekët thonë se kjo shifër do të rritet edhe më shumë javën e ardhshme kur fëmijët do të kthehen në shkollë.

“Rreth 20 për qind është rritur numri i pacientëve që enkas vinë nga këto simptome të kërkojnë ndihmë në ordinancat tona. Ne presim që ky numër të rritet me fillimin e vitit shkollor dhe akademik nëse nuk kemi reshje të borës e cila do të ishte shumë e mirëseardhur”, thotë mjeku Bekim Ismaili.

Përpos shtimit të numrit të pacientëve në shtëpitë e shëndetit, një numër tepër i madh është shtuar edhe këtu në fshatin Leshkë, ku ndodhet spitali i specializuar për sëmundje të mushkërive, ku sipas mjekëve, kërkesat janë shumë më të mëdha nga kapacitetet për pranim që ka ky spital”.

“Rritja e numrit të pacientëve dhe shpeshtimi i atyre pacientëve që na vijnë nga dy a tre herë brenda muajit apo dy muajve është shumë e lartë si pasojë e kësaj ndotjeje. Kërkesat janë shumë më të larta se sa ne kemi kapacitete për ti pranuar”, tha Femi Demiri. Specialist pneumolog.

Pacientët ankohen se kanë frymëmarrje të vështirësuar, kollitje dhe temperaturë të larta.

“Na pengon në frymëmarrje shumë, unë momentalisht jam sëmurë nga bronhitisi, një javë kam qenë në Leshkë.”.

“Më keq nuk mund të jetë më, ja për këtë edhe erdha në mjek, kam probleme me frymëmarrjen shumë keq kjo”.

“Ndjej menjëherë një vështirësim në frymëmarrje dhe gërvishtje në fyt, pra grimcat e dëmshme dukshëm ndikojnë”.

Mjekët rekomandojnë që gjatë kësaj periudhe, sa më tepër të konsumohen lëngje me përmbajtje vitaminash, çaj dhe në rast të daljes jashtë, gjithsesi të përdoren maska mbrojtëse./Alsat/

Exit mobile version