Site icon Telegrafi

Grimi në bazë të formës së fytyrës

Bojëkuqi
Ekzistojnë nuanca të ndryshme për shije të ndryshme, e vënia e tyre do të duhet të fillojë në faqe. Femrat me fytyrë me formë ovale bojëkuqin në faqe duhet ta vënë për t’u dukur sa më natyrale, përderisa ato femra me fytyrë paksa më të gjatë, bojëkuqin duhet ta vendosin nga jashtë, drejt veshëve. Femrat me formë katrore të fytyrës bojë kuqin do të duhej ta vendosin nga faqet në drejtim të syve, në mënyrë që ta arrijnë efektin e fytyrës së "tërhequr", derisa damat me formë të rrumbullakët të fytyrës bojëkuqin nuk duhet vënë pranë hundës.

Vetullat
Vetullat i japin formë fytyrës dhe pikërisht një formë e tillë e gabuar mund ta dëmtojë dukjen tuaj. Femrat me fytyrë katrore mund t’i "fryjnë" vetullat, derisa ato me formë paksa më të gjatë të fytyrës duken mirë me vetulla të holla dhe të rrafshëta. Femrat me formë të rrumbullakët të fytyrës duken bukur me vetulla në formë të harkut, që t’ua hapin fytyrën, ndërsa që femrat me fytyrë formë të zemrës më së miri duken me vetulla të theksuara në formë të harkut.

Buzët
Me siguri mendoni se prodhimet për buzë nuk kanë shumë lidhje me formën e fytyrës, por kanë. Fytyra me formë të rrumbullakët më bukur duket me buzëkuq të kuq apo me ngjyrë vjollce, derisa fytyra me formën e zemrës më së miri përshtatet me buzëkuq me ngjyrë më të errët në buzën e poshtme. Femrat me fytyrë të zgjatur më së miri duken me tone natyrale, derisa ato me fytyrë katrore duken mirë me ngjyra të "buta".

Theksues "highlighter"
Në mënyrë të thjeshtë mund të theksoni pjesë të caktuara të fytyrës. Tek forma zemër e fytyrës duhet të theksoni hapësirat përreth gojës, ndërsa tek fytyra e rrumbullakët theksoni hapësirat përreth mjekrës. Fytyra e gjatë duket mirë kur theksohen hapësirat përreth syve dhe buzëve, derisa damat me fytyrë katrore duken mirë me theksues të vendosur përreth syve.

Çfarë duhet shmangur?
Nëse keni formë të gjatë të fytyrës, shmangni vendosjen e bojëkuqit në faqe, e nëse keni fytyrë të rrumbullakët theksojeni dukjen duke vendosur bojëkuqin në drejtim të veshëve. Femrat me fytyrë katrore do të duhej të shmangin krijimin e linjave të ashpra me ndihmën e bojëkuqit, derisa ato me fytyrë ovale më mirë duken me grim të ekuilibruar.
/Telegrafi/
 

Exit mobile version