Klubet angleze kanë nisur një garë të ethshme për të siguruar shërbimet e Antoine Griezmann.
Sipas The Telegraph, sulmuesi i Atletico Madrid është në shënjestrën e Chelsea, Manchester United dhe Manchester City.
Por, interesi më i madh për francezin është nga blutë e Londrës, që e ndjekin prej kohësh dhe synojnë t’i garantojnë trajnerit të ri, Antonio Conte një lojtar klasi dhe me mesatare të lartë golash.
Por, Griezmann duket se ka vendosur që ti refuzojë të gjitha ofertat të cilat do t’i paraqiten dhe të vazhdojë karrierën në “Vicente Calderon”. Dëshira e lojtarit pritet të ndikojë te drejtuesit e klubit “colchonero” që të ngrenë nga 63 në 100 milionë euro, klauzolën për prishjen e kontratës së lojtarit.
Sipas asaj që sulmuesi i ka thënë miqve të afërt, refuzimi i ofertave nga skuadrat më të mëdha të Ligës Premier lidhet me vendimin e trajneri Simeone, për të qëndruar në krye të stolit të Atleticos.
Përballë Bayern Munchen, 25-vjeçari Griezmann realizoi e 31-të sezonal, duke i siguruar skuadrës madrilene kualifikimin në finalen e Ligës së Kampionëve për të dytën herë në tre vitet e fundit.