Telegrafi

Greva në KEK, gati të hënën

Sindikalistët e KEK-ut shprehen të vendosur të fillojnë grevën të hënën, në rast të mospërmbushjes së të gjitha kërkesave që ia kanë adresuar KEK-ut.

Në takimet e zhvilluara deri tani, ata kanë arritur pajtueshmëri me drejtues të KEK-ut për nënshkrimin e kontratave për të gjithë të punësuarit, për mos-shkurtimin e vendeve të punës gjatë shthurjes së KEK-ut, si dhe për negocimin e kontratës kolektive, por jo edhe për kërkesa tjera.

Zyrtarët e KEK-ut kanë bërë të ditur se riorganizimi i KEK-ut nuk do të ndikojë në shkurtimin e vendeve të punës dhe se janë pajtuar për nënshkrimin e kontratave për të punësuarit, si dhe vlerësimin e mundësive të sigurimit të tyre shëndetësor.

Por nuk janë pajtuar për rritje pagash për 100 euro në mënyrë lineare për të gjithë të punësuarit, apo rreth 75 mijë euro në muaj, me arsyetim se është jashtë parashikimeve buxhetore. /Telegrafi/