Telegrafi

Greva në arsim, reagon UNICEF-i: Thellësisht të shqetësuar, në rend të parë të vihet interesi i fëmijëve

Po kalon edhe java e pestë e grevës në Kosovë, ku mbi 300 mijë nxënës janë privuar nga e drejta e për arsimim.

Derisa në njërën anë Sindikata e SBASHK-ut po kërkon shtesën prej 100 euro deri në miratimin e Ligjit për pagat, Qeveria e Kosovës thotë se ka ndarë 50 euro shtesë/ndihmë për të gjithë punëtorët e sektorit publik.

E në këtë mes janë nxënësit që po e pësojnë. Lidhur me këtë, ka reaguar sot UNICEF-i në Kosovë, duke thënë se janë thellësisht të shqetësuar dhe në rend të parë duhet të vihet interesi i fëmijëve.

“Fëmijët e shkollave fillore dhe të mesme në Kosovë tash e katër javë nuk kanë qasje në arsim. UNICEF-i është thellësisht i shqetësuar me këtë vonesë në fillimin e vitit shkollor, veçanërisht në kohën kur të gjitha përpjekjet duhet të fokusohen në kompensimin e humbjeve të mësimit për shkak të pandemisë COVID-19.

Jemi duke e përjetuar një krizë globale në mësimnxënie, me gati dy të tretat e fëmijëve të moshës 10 vjeçare që nuk janë në gjendje ta lexojnë dhe kuptojnë një tekst të thjeshtë dhe privimi i vazhdueshëm i të drejtës për arsimim mund të ketë pasoja serioze në arritjet arsimore, shëndetin mendor dhe mirëqenien e fëmijëve.

Ne duhet ta vëmë në plan të parë interesin më të mirë të fëmijëve dhe të sigurohemi që mund t’i kthehen mësimit sa më parë që është e mundur”, thuhet në reagimin e UNICEF-it. /Telegrafi/