Site icon Telegrafi

Greva në arsim, në shenjë proteste vendosen banka shkollore në sheshin “Skënderbeu”

Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë sot ka bërë prezantimin e instilacionit simbolik “Fëmijët në Shkolla”, duke vendosur banka dhe karrige me nga një mbishkrim ku paraqiten dëmet që mund të iu shkaktohen fëmijëve duke qëndruar pa proces mësimor.

Drejtoresha Ekzekutive e KOMF-it, Donjeta Kelmendi tha për media se përmes këtij instalacioni kanë shprehur revoltën e tyre për situatën e krijuar me grevën në arsim.

Sipas saj, janë bërë tri javë që nxënësit janë jashtë bankave shkollore.

“Si koalicion, sot përmes këtij instalacioni një klasë e zbrazët me banka dhe karrige të zbrazëta, për të simbolizuar dhe për të shprehur reagimin, pakënaqësinë por dhe revoltën tonë për situatën e krijuar për procesin mësimor në Kosovë. Janë bërë tri javë që rreth 320 mijë fëmijë janë jashtë bankave shkollore, janë jashtë shkollës dhe nuk e kanë të drejtën e tyre elementare për arsim të cilën e kanë të mbrojtur me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, tha ajo, duke shtuar se prej tyre janë rreth 25 mijë fëmijë të cilët presin që të ulen për herë të parë në bankat shkollore.

Kelmendi tha se situata e krijuar është jashtëzakonisht shqetësuese dhe e papranueshme.

“Nga palët shumë pak janë përmendur dëmet që janë shkaktuar te nxënësit dhe te familjet. Dëmet janë shumë të mëdha të cilat shkaktohen te fëmijët me ndërprerjen e procesit mësimor. Me mesazhet tona jemi munduar të tregojmë cilat janë dëmet kryesore që paraqiten te nxënësit. Duke filluar nga mësim nxënia, shëndeti mendor te fëmijët, mundësisë së shkaktimit të problemeve në familje, rritjen e dhunës në familje, rritja e stresit tek nxënësit dhe tek prindërit…”, thanë ndër të tjera Kelmendi. /Telegrafi/ 

 

 

Exit mobile version