Ka përfunduar greva tri orëshe e Sindikatës së Punëtorëve të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), përmes së cilës po kërkojnë që të dëgjohen kërkesat e tyre për kushte të përshtatshme të punës.
Sekretarja e sindikatës, Arlinda Bajra bëri të ditur se greva do të vazhdojë gjatë gjithë javës, me shpresën që deri të marrin një përgjigje nga qeveria e Kosovës lidhur me kërkesat e tyre.
“Kërkesat janë paraqit edhe përmes shkresave me shkrim që janë dërguar disa herë në Ministri të Financave, ku kanë qenë krijimi i kushteve të punës, propozim ndryshimi i statusit të ATK-së dhe kompensimet tjera për zyrtarët”, tha Bajra.
Në të kundërtën, ajo paralajmëroi se nuk do të ndalin grevën derisa të përmbushen kërkesat e tyre.
Greva kishte filluar nga ora 9:00 deri 12:00, pra që janë ndërprerë për tri orë të gjitha shërbimet për tatimpaguesit dhe ishte mbajtur në të gjitha Drejtoritë e Administratës Tatimore të Kosovës. /Telegrafi/