Telegrafi

Greva e mësimdhënësve fillon në ora 8:00

Këshillit Drejtues i SBASHK-ut edhe një herë ka ripërsëritur se greva e përgjithshme në arsimin parauniversitar dhe në universitet fillon nesër në orën 8:00 e deri në 12:00 për arsimin parauniversitar , ndërsa në universitet nga ora 8:00 e deri në orën 16:00.

SBASHK nëpërmjet një komunikate ka thënë se gjatë kohës së grevës të gjithë të punësuarit duhet të jenë në vendet e tyre të punës.

“Greva do të zgjas për aq kohë sa Qeveria nuk i përmirëson gabimet e lëshuara në listat e pagave për muajin prill siç janë: nuk është marrë parasysh baza e pagës aktuale, nuk janë përfshirë të gjithë të punësuarit në arsim në pagesën e përvojës së punës, si dhe nuk është llogaritur përvoja e punës nga viti 2008 e deri në vitin 2015. Këtu nuk duhen harruar edhe obligimet tjera të Qeverisë që dalin nga Kontrata Kolektive, e nënshkruar mes SBASHK-ut dhe MASHT-it. E ftojmë anëtarësinë që lidhur me grevën dhe ecurinë e saj, të bazohen vetëm me deklaratat publike të SBASHK-ut”, thuhet në komunikatë.

SBASHK ka kërkuar nga institucionet shtetërore qendrore e lokale që të mos bëjnë presion në anëtarësinë rreth grevës, por të ulen e të përmbushin obligimet e tyre karshi Kontratës Kolektive në mënyrë që greva të jetë sa më e shkurtër.

“Nga nxënësit e prindërit kërkojmë mirëkuptim dhe përkrahje për realizimin e të drejtave tona sipas dokumenteve të nënshkruara mes SBASHK-ut dhe MASHT-it. Nxënësve iu kërkojmë ndjesë për humbjen e mësimit , e në veçanti maturantëve, që tani më janë në përfundim të vitit shkollor e aq më shumë duke pasur parasysh se orët e humbura nuk do të kompensohen. Për këtë fajtor i vetëm janë institucionet e Kosovës të cilat nuk zbatojnë dokumentet dhe vendimet e veta të aprovuara”, thuhet në komunikatën për media. /Telegrafi/