Në seancën administrative të mbajtur të hënën, më 17 maj 2021, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës kanë zgjedhur kryetare të re të Gjykatës Kushtetuese, gjyqtaren Gresa Caka-Nimani.
Gjyqtarja Caka-Nimani do të fillojë të ushtrojë detyrën e kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, më 26 qershor 2021, pasi që të përfundojë mandati i kryetares aktuale të Gjykatës, Arta Rama-Hajrizi, raporton Telegrafi.
Mandati i Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës është tri vjet.
Gresa Caka-Nimani është dekretuar gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, më 30 dhjetor 2015.
Deri në emërimin e saj, gjyqtarja Caka-Nimani ka shërbyer si Këshilltare e Lartë Ligjore dhe Udhëheqëse e Ekipit të Zyrës për Demokraci dhe Qeverisje në Agjencinë Amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar (USAID). /Telegrafi/