Parlamenti i Greqisë pritet të votojë sot protokollin e NATO-s për anëtarësimin e Maqedonisë në aleancën veri-atlantike, duke i dhënë kështu fund kontestit mbi 27 vjeçar për emrin.
Ky votim vjen pasi Maqedonia ka arritur marrëveshje me Greqinë për të ndyshuar emrin në Maqedoni Veriore, si dhe pas ratifikimit të këtij pakti në parlamentet e të dyja shteteve.
Votimi i 8 shkurtit në parlament pritet të ndodhë pasdite.
Greqia ka kundërshtuar emrin e Maqedonisë, prej kur kjo e fundit ka fituar pavarësinë më 1991 duke deklaruar se ky emër shpërfaq pretendime për një territor në Greqi me po këtë emër.
Ministri i Jashtëm maqedonas, Nikolla Dimitrov ka nënshkruar më 6 shkurt marrëveshjen për anëtarësim në NATO, një hap kyç që i mundëson Shkupit të kthehet në anëtarin e 30-të të aleancës./Telegrafi/