Telegrafi

Greqia rrëzon euron

Një zëdhënëse e Bashkimit Europian deklaroi dje se “nuk kishte dijeni nëse ekzistonte ndonjë plan për shpëtimin e Greqisë nga falimenti”. Kjo deklaratë solli rritjen stratosferike të interesave të borxhit të Greqisë, si dhe rënien e euros.

Qeveria greke reagoi menjëherë, duke deklaruar se nuk pret ta shpëtojë askush dhe se do t’ia dalë me forcat e veta.

“Ne nuk po presim asnjë paketë shpëtimi nga Bashkimi Europian për të mbyllur deficitin tonë buxhetor”, deklaroi në Athinë ministri i Financave, George Papacostantinou.

Deklarata e tij nuk i bindi investitorët. Bondet e qeverisë greke që konsiderohen më të këqijat në Europë, fluturuan në 300 pikë bazë më lart se sa bondet e qeverisë gjermane, të cilat konsiderohen më të mirat. Kjo është diferenca më e lartë e regjistruar që nga krijimi i euros një dekadë më parë. Bondet dyvjeçare qenë rreth 4.34 për qind dje, ndërsa ato dhjetëvjeçare u rritën në 6.16 për qind.