Site icon Telegrafi

Greqia refuzoi t’u japë azil shtatë ushtarëve të ikur turq

Qeveria greke e refuzoi kërkesën për azil të shtatë nga tetë ushtarëve turq, të cilët pas grushtshtetit të pasuksesshëm, nga Turqia me helikopter ikën në Greqi, kumtuan sot mediat greke.

Për fatin e ushtarit të tetë të ikur turk ende pritet.

Tetë pjesëtarë të ushtrisë turke më 16 korrik, një ditë pas tentimit për puç, ikën në Greqi.

Me helikopter ushtarak ata ateruan në qytetin Aleksandropolis, në afërsi të kufirit turk.

Pas vendimit të Qeverisë greke, ushtarët turq, mes të cilëve dy janë oficerë, kumtuan se janë viktima të “politikës bilaterale” dhe se komisioni për azil gjatë shqyrtimit të kërkesave të tyre nuk i ka marrë parasysh të drejtën ndërkombëtare dhe evropiane, por “është udhëhequr vetëm nga politika bilaterale”.

Ankaraja në gusht zyrtarisht e kërkoi ekstradimin e ushtarëve, duke i akuzuar për pjesëmarrje në tentimin e dështuar për grusht shtet.

Parlamenti tuk mbrëmë e konfirmoi vendimin e Qeverisë për vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme edhe për tre muaj, që u vendos pas puçit të pasuksesshëm të 15 korrikut. /kp/

Exit mobile version