Telegrafi

Greqia “padi” në Bruksel: Të hiqet Çamëria

Pas dy deputetëve të parlamentit grek që kërkuan interpelancë me Ministrin e Arsimit, është eurodeputi grek, Manolis Kefalogioanis që përmes një letre i është drejtuar Komisionit Europian, duke deklaruar se Shqipëria si vend që aspiron Bashkimin Europian duhet të heqë dorë nga aktet ekstreme të irredentizmit.

“Ky vend që aspiron BE bie në kundërshtim me parimet dhe vlerat themelore të Unionit, ndërsa në tekstet shkollore shqiptare shkruhet se zona e Prevezës, Igumenicës dhe Kosturit janë toka shqiptare”, thotë deputeti grek.

Mediat greke shkruajnë se në letrën drejtuar Komisionit Europian eurodeputeti grek merr në analizë të plotë faqe të tëra të teksteve të historisë dhe gjeografisë. Ndërsa më tej thekson se është rënë dakord 7 muaj më parë mes dy Ministrave që të hiqen referencat irredentiste.

Kefalogioanis shprehet se pala greke i ka kryer angazhimet e saj rreth kësaj çështjeje, ndërsa Shqipëria ende jo.

Duke iu drejtuar Komisionit Europian, Kefalogiannis shtroi pyetjen se çfarë duhet bërë për të rivendosur të vërtetën historike në tekstet shkollore të Shqipërisë dhe propagandën irredentiste? /OraNews/