Greqia nuk do të negociojë me Turqinë për sa kohë që anija kërkimore turke, Oruc Reis, është në ujërat e saj, tha sot një zëdhënës i qeverisë Greke.
“Për sa kohë që Oruc Reis është në zonë, ne nuk do të mbajmë kontakte me Turqinë”, tha Stelios Petsas, sipas Reuters.
Greqia dhe Turqia kanë rënë dakord të vazhdojnë bisedimet për një seri çështjesh të diskutueshme që u ndërprenë në vitin 2016. Ato bisedime nuk dhanë rezultate as pas 14 vjetësh dhe 60 raundesh.
Greqia tha të hënën se vendimi i Turqisë për të dërguar anijen kërkimore në ujëra pranë ishullit grek, Kastelloriza, ishte një “përshkallëzim i madh” dhe një “kërcënim i drejtpërdrejtë për paqen në rajon”.
Ndërkohë, Gjermania, e cila mban presidencën e Bashkimit Evropian, i bëri thirrje sot Turqisë që të përmbahet nga provokimet dhe shprehu “solidaritet të plotë” me Greqinë dhe Qipron në mosmarrëveshjen. /Telegrafi/