Site icon Telegrafi

Greqia në alarm, virusi vdekjeprurës rikthehet sërish – dy të vdekur dhe disa të tjerë të prekur

Dy persona kanë humbur jetën dhe 25 të tjerë janë infektuar nga virusi i Nilit Perëndimor në Greqi bën me dije Qendra e Parandalimit të Sëmundjeve Infektive në Athinë.

Të dy viktimat ishin mbi 80 vjeç .

Është viti i tretë rresht që ky virus shkakton të vdekur në Greqi.

Ai është shfaqur për herë të parë në vend në vitin 2010 pas disa dekadash, në një formë epidemie që përfshiu më shumë se 260 persona, prej të cilëve 190 u prekën nga meningjiti dhe encefaliti, ndërsa numri i viktimave arriti në 35 vetë, kryesisht të moshës mbi 60 vjeç.

Deri në vitin 2014 u regjistruan herë pas here raste të veçuara të këtij virusi, ndërsa deri në 2017 nuk pati asnjë rast zyrtar.

Ndaj dhe rishfaqja e tij e vazhdueshme në këto tre vitet e fundit ka alarmuar organet greke të shëndetit, përcjell gsh.

Virusi i Nilit Perëndimor përhapet nëpërmjet pickimit të mushkonjave të infektuara. Në disa raste ai mund të shkaktojë komplikime në sistemin nervor qendror, si encefalit ose meningjit, sidomos tek grupmosha mbi 65 vjeç, ndërkohë që shumica e pacientëve kanë simptoma më të lehta.

Sipas specialistëve grekë pritet që të rritet numri i rasteve gjatë sezonit të verës ndaj dhe këshillohen qytetarët për marrjen e masave të duhura.

Exit mobile version