Site icon Telegrafi

Greqia këtë vit pret 32 milionë turistë

Industria e turizmit në Greqi pritet të tërheqë 32 milionë vizitorë në vitin 2018. Këtë kryeministri Alexis Tsipras e quajti një vit rekord për sektorin. Në një takim të Federatës Greke të Turizmit, Tsipras tha se sipas të dhënave, të ardhurat nga turizmi këtë vit do të jenë 12.8% më të larta krahasuar me vitin e kaluar.

Kryeministri tha se stabiliteti i Greqisë në një rajon që është i cenuar ndaj krizave ka përmirësuar profilin e vendit si një destinacion i turistëve.

“Arritja e një zgjidhjeje mbi një emër të pranueshëm nga të dyja palët për Maqedoninë fqinje, është një shembull tipik i një hapi përpara në këtë drejtim, që po e trajtojmë me përgjegjësi dhe patriotizëm. Ne po përpiqemi që të bëjmë hapa të kujdesshëm që do të sigurojnë interesat e vendit tonë, duke përmirësuar më tej imazhin e vendit dhe rolin e stabilitetit dhe sigurisë”, tha Tsipras.

Mbi financat e Greqisë, Kryeministri tha se vendi do të jetë së shpejti në një pozitë për të ulur barrën tatimore që mbahet nga familjet dhe bizneset.

Ai tha se një plan që po hartohet nga Qeveria do të përfshijë ulje të taksave me vlerën e 700 milionë eurove për 2019-ën. /Telegrafi/

Exit mobile version