Më 1 tetor, një ditë pas referendumit, ministri grek i energjisë dhe mjedisit Jorgos Statakis do ta vizitojë Maqedoninë. Me autoritetet do të negociojnë restartimin e naftësjellësit Selanik-Shkup për çka Qeveria nuk jep leje. Negociatat mes dy palëve filluan këtë verë nën udhëheqjen e zv.kryeministrit Koço Angjushev dhe ministrit të ekonomisë Kreshnik Bekteshi. Statatakis në një intervistë për mediat greke thotë se duke e lëshuar përsëri naftësjellësin vendi ynë do të bëhet qendër rajonale e derivateve.
Sa i përket sektorit të gazit të lëngshëm, ka negociata të vazhdueshme për rihapjen e naftësjellësit Selanik-Shkup, mes tjerash, të përdoren deponitë në rafinerinë e OKTA-s tek fqinji jonë verior për furnizimin e vendeve nga rajoni”, u shpreh Jorgos Statakis, ministër i Greqisë për Energji dhe Mjedis.
Megjithatë, kushti nëse dhe kur përsëri do të rrjedh naftë është kontrata e shtetit me rafinerinë OKTA që përfundon pranverën e ardhshme. Lëshimi i naftësjellësit varet edhe metodologjia e re për llogaritjen e çmimeve të derivateve të naftës që duhet të përgatiten vitin e ardhshëm. Kjo eventualisht do të duhet ta ulë çmimin e naftës, sepse sipas metodologjisë aktuale për transportin e këtij karburanti llogaritet një kosto prej 27 $ për ton.
E vërtetë është se OKTA nuk punon, por mënyra e llogaritjes së çmimeve përcaktohet nga marrëveshja e vitit 1999. Kjo marrëveshje ju e dini se në të kaluarën ka pasur shumë përpjekje për të ndryshuar dhe për ta shkëputur. Të gjithë e dini se përfunduan në mënyrë të pasuksesshme. Në fund, shteti ktheu disa penale ndaj investitorit grek”- theksoi Marko Bislimovski nga Komisioni Rregullator i Energjetikës.
Argumenti kryesor në negociatat për ta lëshuar përsëri naftësjellësin në anën greke është se Maqedonia nuk e respekton marrëveshjen për shitblerje për OKTA-n dhe nuk i blen sasitë e dakorduara vjetore të mazutit. Argumenti i qeverisë nga ana tjetër është se rafineria OKTA në Shkup nuk ka proces prodhimi që nga viti 2013. Helenik Petroleum para disa muajve njoftoi padi kundër Maqedonisë me çka do të kërkojë dëmshpërblim prej 35 milionë eurove, sepse shteti pesë vite nuk ka blerë mazut nga OKTA. Marrëveshja 20 vjeçare e nënshkruar nga Qeveria e Ljubço Georgievskit përfundon në mars të vitit të ardhshëm. Pronari i naftësjellësit Selanik-Shkup është kompania Vardaks ku Maqedonia ka 20% të pronësisë./Alsat-M/