Telegrafi

Greqia do të qëndrojë në Eurozonë

Negociatat mes qeverisë greke dhe kreditorëve ndërkombëtarë mbeten sërish pezull.

Qeveria greke deklaroi të hënën se qëllimi i vetëm i Greqisë është një marrëveshje me huadhënësit ndërkombëtarë, duke fituar më shumë kohë për shlyerjen e borxhit dhe për të qëndruar në Eurozonë.

Zëdhënësi i qeverisë greke Gabriel Sakellaridis shpreson që palët të bien dakord në fund të muajit dhe vendi i tij të paguajë borxhin 1.5 miliard euro FMN-së.

Sakellaridis mohoi spekulimet se Greqia do të zhvillojë një referendum. Presidenti grek Prokopis Pavlopoulos tha se vendi i tij do të mbetet në Eurozonë dhe në BE.

Gjatë muajve të kaluar, qeveria greke nuk arriti të gjejë një gjuhë të përbashkët me huadhënësit ndërkombëtarë për reformat. Shumë janë të mendimit se me boshatisjen e arkës së shtetit, Greqia rrezikon të mospagojë borxhet dhe madje daljen nga Eurozona. /Telegrafi/