Site icon Telegrafi

Greqia dhe Shqipëria bien dakord për të kthyer lumin “Vjosa” në një park ndërkufitar

Ministritë shqiptare dhe greke të Mjedisit kanë rënë dakord që të punojnë së bashku për të krijuar parkun e parë ndërkufitar të lumit “Vjosa” që përshkon të dy vendet.

Pas një takimi të Ministrit grek të Mjedisit Kostas Skrekas me Ministren shqiptare Mirela Kumbaro në Athinë është njoftuar krijimi i një komiteti ndërkufitar për të punuar në këtë drejtim.

Zyra Rajonale e Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) njoftoi tetorin e vitit të shkuar përgatitjen në anën greke të 4 studimeve mbi mbrojtjen më të mirë të pellgut ujëmbledhës të lumit “Vjosa” dhe promovimin e bashkëpunimit ndërkufitar për një park ndërkufitar Greqi- Shqipëri.

Qeveria shqiptare nga ana e saj është angazhuar së fundmi për të shpallur brenda këtij viti rrjedhën e lumit Vjosa me degët e saj në territorin shqiptar, një Park Kombëtar .

Si në anën greke dhe atë shqiptare shqetësimet e organizatave mjedisore janë lidhur veçanërisht me projekte të devijimit të rrjedhës së lumit “Vjosa” dhe projekteve për ndërtimin e hidrocentraleve.

Lumi “Vjosa” ka një gjatësi prej rreth 272 km , prej të cilave 80km në territorin grek dhe rreth 192 km brenda territorit shqiptar dhe konsiderohet “lumi i fundit i egër i Evropës” për shkak të mosndërtimit të veprave hidrike në rrjedhën e lumit./VOA

Exit mobile version