Kufomat u gjetën në një kanal në fshatin Plati të Kalamatës. Ishte një kalimtar grek, i cili pa makinën në kanal dhe mendoi se ishte aksident. Menjëherë ka njoftuar policinë dhe ambulancën.
Sipas banorëve të zonës, emigranti shqiptar jetonte në Plati të Kalamatës, ndërsa familja e tij jetonte në Shqipëri. Muajt e fundit, ai merrte në Greqi bashkëshorten dhe djalin e tij 3-vjeçar. Thuhet se viktima ka edhe një djalë më të madh, i cili jeton në Shqipëri.
Në zonë emigranti njihej me emrin Filip Mezani dhe të njohurit e përshkruajnë si një njeri familjar, të rregullt dhe shumë punëtor.
Duke folur për mediat, kryetari i komunës së fshatit Platis, Jorgo Xhavaras tha se 35 vjeçari ka jetuar atje prej 15 vjetësh. "Jemi të shokuar. Gjithë fshati tani vetëm për këtë çështje flet. Ishte një njeri i mirë dhe i dashur. I ndihmonte të gjithë në fshat, veçanërisht të rinjtë që organizonin gara me kuaj. Ishte një njeri shumë i shoqërueshëm”, thotë kryetari i komunës.
Dyshohet se vrasja mund të jetë bërë për larje hesapesh, por është ende herët të thuhet me siguri një gjë e tillë, thonë burime të policisë greke, të cilat theksuan se do të vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe vënien përpara drejtësisë të autorëve të krimit, që nuk kursyen as fëmijën 3 vjeçar.
Policia dyshon se krimineli mund t’i jetë trembur njohjes nga fëmija dhe është detyruar ta vrasë dhe atë, duke e bërë krimin edhe më të tmerrshëm. /Bw/Telegrafi/