Telegrafi

Greqia mposht Kosovën

Përfaqësuesja e Kosovës U-17 e ka zhvilluar sot ndeshjen e dytë në Izmir në kuadër të turneut “Mercedes Benz Aegean Cup”, por këtë herë ajo ka qenë miqësore. Përballë djelmoshave të Besnik Kollarit ishte Greqia, e cila bën pjesë në Grupin B.

Pas një ndeshje shumë të barabartë fitores iu gëzuan grekët, me rezultat 1:0, falë një penalltie të dyshimtë të akorduar nga gjyqtari turk. Në ndeshjen e sotme Kosova pati një paraqitje dinjitoze, ndonëse as në ndeshjen kundër Turqisë nuk luajti dobët, por u ndëshkua nga gabimet.

Kësaj radhe djelmoshat ishin shumë më të vëmendshëm dhe gjatë tërë kohës u treguan rivalë të barabartë të Greqisë, madje në disa periudha të lojës ishin dukshëm më të rrezikshëm se kundërshtari. Në pjesën e parë mundësinë më të mirë për të shënuar e pati Bajrush Osmani, në minutën e 20-të, por gjuajtja e tij nga brendësia e zonës u bllokua nga mbrojtja greke, derisa kundërshtari nuk e pati asnjë rast të rrezikshëm.

KGreqia shënoi golin e epërsisë në minutën e 52-të nga penalltia nëpërmjet Georgis Vrakas, pasi gjyqtari e vlerësoi të palejueshme një ndërhyrje për top të Altin Lutollit. Pas këtij goli djelmoshat e Kollarit nuk u thyen moralisht dhe vazhduan me përpikëri t’i zbatonin detyrat e trajnerëve, duke organizuar aksione mjaft të mira, por që fati u mungoi në finalizim. Në minutën e 60-të, gjuajtja e Edin Huseinit kaloi pranë portës, derisa në minutën e 80-të Qëndrim Zyba ishte dhe më afërt golit, por gjuajtja e tij edhe pse e kaloi edhe portierin grek, në fund përfundoi përskaj shtyllës. Ndeshjen e radhës Kosova e zhvillon, të enjten, për pikë në kuadër të Grupit A kundër Sllovakisë.