Telegrafi

Grenell sërish përfshihet në reagimet e gjermanëve mbi Kosovën – përplasen në “X” me deputetin Roth

Ish-emisari amerikan për bisedimet Kosovë –Serbi, Richard Grenell është përfshirë sërish në çështjet e Kosovës, konkretisht në reagimet e Gjermanisë për zhvillimet e fundit në vendin tonë.

Grenell ka mbështetur deklaratën e ambasadorit gjerman Jorn Rohde lidhur me mbylljen e komunave paralele të Serbisë, ku ambasadori gjerman tha se veprimet e njëanshme të Kosovës “vetëm sa i hedhin benzinë zjarrit”.

Ish-emisari amerikan në një postim në “X” derisa i ka ofruar mbështetje ambasadorit Rohde ka kritikuar kryetarin e Komisionit për Politikë të Jashtme të Bundestagut gjerman, Michael Roth, shkruan Telegrafi.

“Ambasadori gjerman në Kosovë po e turpëron publikisht socialistin gjerman Michael Roth mbi veprimet e Kurtit. Ti e di që është keq për Albin Kurtit kur humb zyrtarët gjermanë në vendin e tij”, ka shkruar Grenell.

Lexo po ashtu Roth i reagon Hovenierit për dinarin: Deklaratë e pabalancuar, mungojnë mesazhet për sulmin terrorist në Banjskë

E ndaj kësaj deklarate ka reaguar Roth i cili e ka quajtur Grenellin shok të Trump-it dhe Vuçiqit.

“Surprizë, surprizë, shoku i Trump dhe Vuçiq është kthyer…”, ka shkruar Roth.

Roth të dielën kritikoi ambasadorin amerikan Jeff Hovenier, për deklaratën e lëshuar për zhvillimet e fundit në Kosovë.

Sipas tij, në këtë deklaratë të SHBA-së do duhej të kishte mesazhe të qarta për sulmin terrorist serb në Banjskë.

“Një shembull tjetër për deklaratat e pabalancuara të SHBA-së (ose BE-së) për Kosovën. Më mungojnë mesazhe kaq të qarta në lidhje me agresionet serbe (sulm terrorist në Bajnska, rrëmbim apo shantazh) në rajon”, shkroi Roth. /Telegrafi/