Telegrafi

Grenell komenton letrën e dërguar Presidencës gjermane, ku kërkohet liberalizimi i vizave për Kosovën

Foto: Arkiv

I dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka reaguar pasi 32 anëtarët e Parlamentit të Bashkimit Evropian kanë nënshkruar një letër drejtuar kancelares gjermane Angela Merkel dhe ministrit të Brendshëm, Horst Seehofer.

Në letrën e dërguar, siç është bërë e ditur, u është kërkuar që çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën ta vendosin në axhendën e Këshillit të BE-së gjatë Presidencës gjermane.

Dhe lidhur me këtë, Grenell ka thënë se ky është një lajm i mirëpritur, edhe nëse bëhet fjalë vetëm për disa industri të synuara të biznesit.

“Më në fund. Ky është një lajm i mirëpritur edhe nëse është vetëm për disa industri të synuara të biznesit”, ka shkruar Grenell në Twitter.

Sipas tij, përqendrimi i SHBA-së në normalizimin ekonomik ka motivuar veprime nga evropianët.

“Dhe ne jemi të lumtur t’i shohim ata duke udhëhequr”, ka shkruar më tej Grenell.

Lexo po ashtu Von Cramon i dërgon një letër Presidencës gjermane, kërkon liberalizimin e vizave për Kosovën

Ndryshe, në një letër të dërguar nga Raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon-Taubadel, e nënshkruar edhe nga 32 eurodeputetë, të dërguar kancelares gjermane, Angela Merkel dhe ministrit të Brendshëm gjerman Horst Seehofer, është kërkuar nga ata që të vendosin axhendën e liberalizimit të vizave të Kosovës në axhendën e Këshillit të Bashkimi Evropian gjatë presidencës gjermane, që fillon më 1 korrik.

“Për momentin, Kosova është një nga vendet e pakta evropiane të mbetura, qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë lirshëm në zonën Shengen pa viza. Sidoqoftë, kjo nuk varet më nga kosovarët. Procesi për të arritur liberalizimin e vizave supozohet të bazohet në kritere objektive, të cilat, siç u njoftua nga Komisioni Evropian, është përmbushur në korrik 2018, saktësisht dy vjet më parë”, citohet të ketë shkruar von Cramon.

“Standardet janë përmbushur nga Kosova. Ata kanë bërë detyrat e tyre të shtëpisë, tani është radha jonë të mbajmë premtimin tonë. Ne po e humbim besueshmërinë tonë kur një vend i tretë të bëjë atë që ne kërkojmë prej tyre, por ata nuk marrin atë që u kemi premtuar atyre”, ka shkruar Von Cramon. /Telegrafi/