I dërguari special i presidentit Donad Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka kërkuar nga i gjithë spektri politik në Kosovë që të respektohet vendimi i Kushtetueses, i cili i dha të drejtë presidentit Hashim Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit të LDK-së për kryeministër.
Grenelli ka thënë se mezi pret të vazhdojë punën me qeverinë e re.
“Gjykata Kushtetuese ka folur. Për të siguruar paqen dhe stabilitetin – dhe për të mbështetur integritetin e sistemit të drejtësisë së Kosovës – të gjithë duhet të respektojnë vendimin e Gjykatës”.
“Mezi pres të vazhdoj punën time me njerëzit e Kosovës dhe qeverinë e tyre për të sjellë prosperitet, zhvillim dhe punë në rajon”, ka thënë Grenell në komunikatën dërguar mediave.
Ndërkaq, sipas vendimit të gjykatës, dekreti i Presidentit është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 82 të Kushtetutës, duke konstatuar rrjedhimisht, që votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të Kuvendit ndaj Qeverisë, nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një Qeverie të re në pajtim me nenin 95 të Kushtetutës./Telegrafi/