Site icon Telegrafi

Grenell flet sërish për takimin e djeshëm mes Kosovës dhe Serbisë, e quan produktiv

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dje kanë zhvilluar një takim në Shtëpinë e Bardhë.

Nikoqirë të këtij takimi, që u paralajmërua se në fokus ka bashkëpunimin ekonomik, ishin këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien dhe i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Grenell është deklaruar sërish pas këtij takimi, ku përmes një postimi në Twitter, shkroi se dita e djeshme ka qenë produktive dhe se ka shpresa.

“Ka qenë një ditë produktive, jam me shpresë”, ka shkruar ai.

https://twitter.com/RichardGrenell/status/1301670492013723648

E kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se këto bisedime paraqesin një hap drejt marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa takimin e së enjtes në Uashington e cilësoi si historik.

“Kemi bërë një hap të madh drejt përmbylljes së marrëveshjes finale”, shtoi ai.

Lexo po ashtu Agjenda e takimeve në Uashington, delegacioni kosovar takohet me sekretarin Pompeo

Ndryshe, sot në ditën e dytë të takimit mes Kosovës dhe Serbisë, do të jetë i pranishëm edhe vet presidenti amerikan, Donald Trump.

Siç është paralajmëruar, sot në Shtëpinë e Bardhë pritet të nënshkruhet një marrëveshje e karakterit ekonomik.

Pas takimit në Shtëpinë e Bardhë, kryeministri Hoti dhe presidenti Vuçiq do të takohen në Bruksel të hënën, ndërsa gjatë kësaj fundjave do të zhvillohen bisedime në nivel të ekspertëve. /Telegrafi/

Exit mobile version