Ish-i dërguari i posaçëm i ish-presidentit amerikan, Donald Trump, për bisedimet e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell ka luajtur një rol kyç në arritjen e Marrëveshjes së Normalizimit Ekonomik Kosovë-Serbi në vitin 2020 në Washington, DC.
Dhe gjatë një interviste për The Pavloviq Today, përcjell Telegrafi, Grenell ka zbuluar se gjatë negociatave kishte disa pika “që ishin më të vështira për palën kosovare. Dhe më pas, kishte disa pika që ishin të vështira për të dyja palët”.
Komponenti kryesor, sipas Grenell, ishte se SHBA “u përpoqën fort të përqendroheshin në ekonomi”.
Siç thuhet më tej, një rregull që Grenell kishte për të dyja palët ishte se ai kurrë nuk do t’u kërkonte serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës të bënin diçka politike, por “vetëm u kërkonte atyre të bënin gjëra që na çojnë përpara në një mënyrë që ne të krijojmë vende pune për të rinjtë dhe të krijojmë një ekonomi më të mirë për rajonin”.
“Unë mendoj se të gjithë e dinë mirë historinë, por ajo që, çuditërisht, shumë amerikanë nuk e kuptojnë është se është bërë përparim gjatë 20 viteve të fundit. Ne jemi vërtet në një pikë thelbësisht të ndryshme, një marrëdhënie tjetër midis SHBA-së dhe Kosovës dhe SHBA-së dhe Serbisë, SHBA-së dhe Shqipërisë, SHBA-së dhe vendeve të Ballkanit në përgjithësi. Është e rëndësishme të mos ngecesh në të kaluarën, por të lejosh, do të thosha, jo vetëm pajtimin, por edhe një rivlerësim të asaj që po ndodh”, ka thënë më tej Grenell.
Sipas Richard Grenell, ky ishte themeli i qasjes së Donald Trump dhe Grenell ndaj kësaj çështjeje, të cilën ai do ta quante “ngërçi Kosovë-Serbi në shumë mënyra”.
Gjatë intervistës së tij, Grenell deklaroi se beson se Sekretari i tanishëm Antony Blinken nuk do të japë rezultate për Ballkanin Perëndimor dhe çështjen Kosovë-Serbi.
“Arsyeja pse unë mendoj se Blinken nuk do të jetë në gjendje të japë rezultate është se ai tashmë ka treguar se ka zgjedhur një anë. Ai nuk ka kredibilitet me të dyja palët”, tha Grenell. “Unë jam dikush që jam duartrokitur dhe kritikuar nga të dyja palët [serbët dhe shqiptarët]. Jam shumë i kënaqur me progresin që kemi bërë. Unë kam mbështetës dhe kundërshtarë në të dyja anët e çështjes dhe e shoh se është një vend shumë komod”.
“… Por më lejoni të jem i qartë për një gjë”, këmbënguli Grenell. “Administrata Biden meriton vlerësim”, citohet të ketë thënë ai.
“Dikush brenda administratës së Biden-it vendosi pasi të ketë lexuar katër marrëveshjet ekonomike të thotë: ‘Këto janë të mira. Dhe ato na çojnë përpara’”, ka thënë ndër tjerash Grenell. /Telegrafi/