I emëruari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, njoftoi se qeveritë e këtyre dy vendeve janë pajtuar që të takohen më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë.
Përmes një postimi në Twitter, Grenell tha se Serbia janë pajtuar që të pezullojnë përkohësisht fushatën e çnjohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe për të kërkuar anëtarësime ndërkombëtare.
“Lajm i mirë. Sapo pranova angazhimin e qeverive të Kosovës dhe Serbisë për të pezulluar përkohësisht fushatën e çnjohjeve dhe për të kërkuar anëtarësime ndërkombëtare, me qëllim që të takohemi në Uashington DC, në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor, për të biseduar për dialogun. Nëse njëra palë nuk është e kënaqur me bisedimet e 27 qershorit, ato mund të kthehen sërish në status quo, pasi të largohen nga Uashingtoni. Siç kemi thënë vazhdimisht, ne së pari duhet të bëjnë përparim në rritjen e ekonomive. Ky është fokusi. Mirëpres këto diskutime”, ka shkruar Grenell në Twitter.
https://twitter.com/RichardGrenell/status/1272566747183280129?s=20
Radio Evropa e Lirë merr vesh se në takimin në Shtëpinë e Bardhë, Kosova do të përfaqësohet nga presidenti, Hashim Thaçi dhe kryeministri, Avdullah Hoti.
Në fillim të muajit, Qeveria e re e Kosovës shfuqizoi masat e reciprocitetit ndaj Serbisë dhe tha se pret që Serbia të ndalë fushatën e çnjohjeve, me qëllim që t’i jepet mundësi dialogut.
Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ka nisur më 2011. SHBA-ja emëroi Grenellin si të dërguarin e saj për këtë dialog, tetorin e vitit të kaluar, me qëllim që të ndihmojë palët të arrijnë një marrëveshje paqeje. /Telegrafi/