Telegrafi

Greket prijnë me investime në Shqipëri

Qindra milionë euro të konsumatorëve shqiptarë në tregun e telefonisë apo qindra milionë të tjerë të tregut bankar përfundojnë te kompanitë mëma në Athinë, duke ndihmuar në ekonominë greke, po aq sa puna dhe kursimet e 1 milionë emigrantëve shqiptarë, që aq shumë kanë dhënë për ekonominë greke në këto dy dekada, raportoi gazeta Shekulli.

Numri i bizneseve greke në Shqipëri llogaritet në 110, Greqia është partneri i dytë tregtar i Shqipërisë, pas Italisë, ndërsa sipërmarrjet greke kanë realizuar një volum investimesh me mbi 1 miliardë euro dhe këto janë kryesisht në shërbime, apo tregun bankar.

Gazeta shkruan edhe paktin detar, i cili i jepte Athinës 355 kilometër hapësirë detare në Jon, zonë shumë e pasur me naftë dhe gaz. Pakti u firmos në 27 prill 2009, Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë atë.

Ndërkohë, në investimet më të rëndësishme italiane përmenden ai në gadishullin e Karaburunit, ku me një investim prej 1.015 miliardë euro do të ndërtohet centrali më i madh eolik në Europë prej 500 megavatësh, dhe me një kabull nënujor do të çohet energjia në Itali.

Gjatë vizitës së Berluskonit në 2008 në Shqipëri u nënshkruan disa marrëveshje si ajo e grupit "Falcione" për realizimin e një rigazifikatori në Fier dhe e firmës "Colacem" për ndërtimin e një fabrike çimentoje në Lezhë. /Telegrafi/