Site icon Telegrafi

Gregori: Sllovenia gjithmonë do të mbështesë RMV-në në rrugën e eurointegrimeve

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot realizoi takim me Delegacionin e Komisionit të Politikës së Jashtme të Kuvendit Nacional të Republikës së Sllovenisë, të paraprirë nga kryetarja e Komisionit, Monika Gregorçiç. Në Delegacion ishte edhe Nik Prebill, zëvendëskryetar i Komisionit të Çështjeve Evropiane.

Siç njoftojnë nga kabineti i Xhaferit, ai ka shprehur kënaqësi për realizimin e vizitës në çastet kur nevojitet uniteti në kuadër të Aleancës, por edhe në kuadër të BE-së, sidomos në pjesën e politikës së zgjerimit.

“U përshëndetën marrëdhëniet e shkëlqyera me Republikën e Sllovenisë, mbështetja e saj në momentet kryesore të historisë sonë më të re dhe bashkëpunimi dinamik në më shumë fusha me interes të ndërsjellë. Në lidhje me eurointegrimet tona, Kryetari Xhaferi theksoi se ngjarjet aktuale tregojnë se sa të lëndueshëm jemi si vende ndaj proceseve të caktuara dhe se tani më shumë se çdoherë, nevojitet veprim nga ana e Bashkimit Evropian për përshpejtimin e procesit dhe fillimin sa më të shpejtë të negociatave, të cilat do të kenë efekt pozitiv në kontekstin ekonomik, por edhe të sigurisë të vendit dhe rajonit më gjerë”.

“Gregoriç sugjeroi se Delegacioni vjen në vend me qëllim qartë të nënvizuar për mbështetje të plotë dhe të padyshimtë të Republikës së Sllovenisë për integrimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Si pjesë e zotimeve të tyre të vazhdueshme, ajo potencoi se kanë arritur që në suazat e Bashkimit Evropian, gjatë çdo kryesimi të ri me Këshillin e Bashkimit Evropian, çështja e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor të jetë lartë në Agjendë dhe e njëjta do të demonstrohet përmes organizimit të Samiteve dhe Konferencave për Ballkanin Perëndimor, siç do të jetë rasti gjatë kryesimit aktual francez në qershor të këtij viti. U shprehën bindjet se pa dallim kush është në pushtet në Republikën e Sllovenisë në vitet në vijim, mbështetja e tyre për Republikën e Maqedonisë së Veriut do të mbetet e pandryshuar si edhe deri tani”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Në diskutim u inkuadrua edhe kryetari i Grupit Parlamentar të Bashkëpunimit me Kuvendin e Republikës së Sllovenisë, Aleksdandar Veljanovski, i cili e përshëndeti bashkëpunimin e deritanishëm me kolegët e tij nga Republika e Sllovenisë, me shpresë se i njëjti do të vazhdojë edhe në periudhën në vijim.

Exit mobile version