Amerikani Brad Greenberg do të jetë trajner i Përfaqësueses së Kosovës në basketboll.
63-vjeçari gjatë këtyre ditëve do të jetë në Kosovë për të firmosur kontratën dhe për t’u prezantuar para publikut kosovar, shkruan sot Koha Ditore.
Ai parimisht ka pranuar ofertën e FBK-së dhe është plotësisht i gatshëm për ta udhëhequr ekipin e Kosovës. Kosova është pa trajner prej muajit tetor të vitit të shkuar, kur Arben Krasniqit i skadoi kontrata me FBK-në. Krasniqi e udhëhoqi Kosovën në eliminatoret e “Eurobasket 2017”.
Në këto eliminatore Kosova përfundoi e fundit në grup pa asnjë fitore. Pësoi humbje të dyfishta nga Sllovenia, Ukraina dhe Bullgaria.
Greenberg do të ketë marrëveshje me Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) për ndeshjet parakualifikuese për botërorin “Kina 2019”, që zhvillohen në muajin gusht. Nëse Kosova kalon me sukses në këto parakualifikime, atëherë Greenberg do të vazhdojë të jetë në krye të ekipit për tërë ciklin.