Përfaqësuesja e Kosovës ka pësuar një tjetër humbje në ndeshjet kualifikuese.
Kosova pësoi në ndeshjen e pestë kualifikuese për Kampionatin Botëror Kina 2019.
Kësaj radhe djelmoshat tanë pësuan humbje nga Kombëtarja e Hungarisë me rezultat 65-81.
Kosova tregoi ndeshje të mirë dhe pësoi humbje vetëm falë përvojës më të madhe të kundërshtarit.
Pas ndeshjes kanë folur edhe përzgjedhësi i Kosovës, Brad Greenberg dhe kapiteni Dardan Berisha.
Brad Greenberg, përzgjedhës i Kosovës:
“Jam shumë i lumtur me paraqitjen e ekipit tonë. Lojtarët luajtën me kurajo, me energji të pashoq”.
“Kosova tregoi karakter pas tragjedisë që ndodhi ditën e shtunë. Dy lojtarë të rinj erdhën në shprehje, Kapiti i cili dëshmoi kapacitetet e tij, dhe Tmusic që erdhi vetëm mbrëmë për t’iu bashkuar Kombëtares tonë”.
“E di që secili lojtarë në mendjen dhe zemrën e tyre kishin Gazin, ndërsa që unë ndihem krenar me djemtë tanë; ishte ndeshje shumë e mirë”, deklaroi Greenberg.
Dardan Berisha, kapiten i Përfaqësuesës së Kosovës:
“Momente tepër të vështira për neve. Nuk ishim për basketboll. S’kemi ushtruar hiç sepse ka qenë situatë ekstreme për ne. Ka qenë vështirë mu ballafaquar me këtë situatë. Këtë ndeshje ia dedikojmë Gazit, lojtarëve të lënduar dhe fizioterapeutit”.
“Kishim motiv të madh për këtë ndeshje edhe pse ju thashë bashkëlojtarëve që Hungaria ka përvojën por ne kemi zemrën në këto momente. Kosova ka brumë për të ardhmen dhe do të ketë basketboll në Kosovë”.
“Faleminderit që keni qenë me neve. Më vjen keq që e them mirëpo është humbja më e ëmbël që e kam përjetuar”, u shpreh Berisha. /Telegrafi/