Site icon Telegrafi

Grazhdaniku vazhdon protestën për rrymë pa mbështetje të plotë, KEDS-i premton investime  

Banorët e fshatit Grazhdanik dhe disa persona nga fshati Poslisht të hënën kanë vazhduar protestën simbolike para zyrave të KEDS-it në Prizren, për të shprehur pakënaqësinë me furnizimin e parregullt me energji elektrike.

Për dallim prej protestës së mbajtur të premten e shkuar, këtë herë numri i protestuesve ka qenë më i vogël, teksa prania e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës ka qenë më e madhe.

Organizatori i protestës, Andrian Boçaj ka pohuar se protesta ka vijuar për shkak të problemeve të vazhdueshme me furnizimin e parregullt me energji elektrike.

“Ne e kemi vazhduar protestën. Por fshatrat tjera nuk na kanë përkrahur këtë herë. Edhe ata janë njëjtë sikur ne pa rrymë, por vetëm disa persona prej fshatit Poslisht kanë ardhur. Fshatrat tjera e kanë marrë këtë punë në mënyrë politike apo në mënyra të veta dhe nuk na kanë përkrahur. Se kush ju ka thënë mos me ardhë e dinë ata. Por e dimë që edhe ata janë në të njëjtën situatë si ne, pa rrymë”, ka thënë Boçaj për Telegrafin.

Ai bashkë me dy përfaqësues tjerë kanë zhvilluar një takim me drejtuesit e distriktit të KEDS-it në Prizren.

“Ne ishim në një takim me drejtorin e KEDS-it në Prizren. Ai na ka dhënë informata të njëjta sikurse vitin e kaluar, me gënjeshtra. Na premtoi se do të bëhen ca investime të vogla në fshatin Grazhdanik dhe që sipas tij do të fillojnë brenda javës. Po shpresojmë që do ta bëjnë këtë punë. I falënderoj edhe banorët e fshatrave tjerë që nuk na kanë përkrahur sot. Le të vazhdojnë të rrinë në terr, edhe ne do të rrimë në terr me ata”, është shprehur Boçaj për Telegrafin.

Lidhur me furnizimin e parregullt me energji elektrike në këtë zonë të Prizrenit, të dielën mbrëma ka reaguar edhe Daut Haradinaj nga AAK-ja, duke theksuar se “fshatrat Grazhdanik, Kobaj dhe Muradem të Prizrenit janë mbi 100 orë pa energji elektrike”.

Të premten e shkuar protestuesit nga fshatrat Grazhdanik, Kobaj, Muradem, Vlashnje, Poslisht e Hoqë e Qytetit patën shprehur pakënaqësinë për këtë çështje, duke nënvizuar se ndërprerjet e rrymës janë të shpeshta dhe se shkojnë edhe deri në disa ditë. /Telegrafi/

Exit mobile version