Site icon Telegrafi

Gratë që udhëhoqën ekonominë në Komunën e Drenasit dhe të Kamenicës

Drenasi dhe Kamenica janë dy prej komunave që në mandatin e kaluar respektuan kuotën gjinore.

Emisioni 7 Ditë me Panxhën ka intervistuar gratë që udhëhoqën ekonominë, ato janë Egzona Jetullahin dhe Majlinda Krasniqin.

Për rëndësinë e respektimit të kësaj kuote ka folur Vlora Tuzi – Nushi, shefe e zyrës së UN Women.

Drejtoresha për Zhvillimin Ekonomik në Drenas, Egzona Jetullahi dhe drejtoresha e Zhvillimit Ekonomik dhe Diasporës në Kamenicë, Majlinda Krasniqi, treguan për projektet që realizuan gjatë mandatit 4 vjeçare, për zbatimin e politikave mbështetëse për gratë si dhe për prurjen e investitorëve të huaj.

Përveç, Jetullahit dhe Krasniqit, me Drejtoritë e Zhvillimit Ekonomik në komuna udhëhoqën edhe 7 gra të tjera.

Ndërsa, Tuzi – Nushi, tha se respektimi i kuotës gjinore në Kosovë është ende i nevojshëm sepse e edukon votuesin se edhe gratë ashtu sikurse burrat, meritojnë pozita në vendimmarrje.

Ndërkaq, sipas Raportit për Funksionimin e Komunave të Republikës së Kosovës 2020, në 38 komuna ishin emëruar vetëm 2 gra nënkryetare. Krahas kësaj, ishin zgjedhur vetëm 6 gra kryesuese të kuvendeve komunale.

Po ashtu, nga gjithsejtë 377 drejtorë në 38 komuna, 95 gra ishin të emëruara në këto pozita, ndërsa pjesa tjetër ose 282 ishin burra.

Exit mobile version