Telegrafi

Gratë në Shqipëri kanë 33% të bizneseve të vogla e të mesme

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes në Shqipëri, Milva Ekonomi deklaroi se gratë në Shqipëri zotërojnë 33% të bizneseve të vogla dhe të mesme.

Ministrja Milva Ekonomi tha se në Shqipëri pjesa më e madhe e ndërmarrjeve bën pjesë në kategorinë e biznesit të vogël dhe të mesëm të cilat janë edhe kontributorë të mëdhenj të PBB. Duhet të theksojmë që edhe gratë kanë filluar të rrisin numrin e tyre në drejtimin e këtyre bizneseve.
“Aktualisht bizneset e vogla dhe të mesme zënë 98-99% të numrit total të bizneseve dhe 33% e këtyre bizneseve drejtohen nga gratë. Kjo është shifra e parë e rëndësishëm që duhet të kemi parasysh. Ndërkohë që qeveria ka në programin e saj mbështetjen për sipërmarrjen; ku mbështetet pa diskutim edhe gruaja që drejton një biznes të vogël ose të mesëm. Qeveria jep mbështetje të këtyre bizneseve nëpërmjet disa fondeve, siç është fondi i konkurrueshmërisë, fondi i kreativitetit, fondi i artizanatit, start –up, por ka edhe të tjera programe që sjellin mbështetjen e grave në biznes, siç është kredia për gratë sipërmarrëse dhe gjithashtu ka programe të dedikuara nga donatorë”, u shpreh ministrja Ekonomi.

Një pjesë e madhe e startup-ve të këtij viti drejtohen nga vajza dhe gra. “Numri i grave që kanë përfituar deri tani në total është gati i barabartë me numrin e burrave dhe duhet të shkojë dikur tek 40-45 gra përfituese”, deklaroi ministrja Milva Ekonomi.

Zhvillimi i gruas sipërmarrëse mbetet një sfidë e vërtetë për qeverinë Shqiptare.

Mbështetja e gruas sipërmarrëse nuk ka qenë asnjëherë e ndarë nga prioriteti dhe angazhimi i Qeverisë Shqiptare në drejtim të barazisë gjinore. Qeveria e shikon fuqizimin ekonomik të gruas si një nevojë dhe domosdoshmëri të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.

Nga programi Italian, për financimin e sipërmarrjes shqiptare, rreth 14% e projekteve fituese ka shkuar në favor të grave sipërmarrëse. Gruaja sipërmarrëse po fuqizohet më tej nëpërmjet pjesëmarrjes së saj aktive në rrjetet kombëtare dhe rajonale.

Ndër masat e ndërmarra theksohet ai i krijimit të grupit ndërministror ku, përveç përfaqësuesve të institucioneve publike, janë edhe përfaqësues të shoqatës së grave profesioniste afariste, i cili monitoron periodikisht realizimin e këtij plani veprimi.

Në zbatim të këtij plani veprimi, për vitin 2017 do të ndërmerret studimi i legjislacionit për të parë boshllëqet ekzistuese dhe për të adresuar ndryshimet e nevojshme në legjislacionin, politikat dhe statistikat për të krijuar ambient miqësor dhe stimuluese për gratë në biznes.

MZHETTS, me mbështetjen e programit UN Woman, do të përfundojë një të ashtuquajtur “green paper “duke prezantuar kuotat detyruese në kompanitë publike, për rritjen e rolit të grave në pozicionet drejtuese, kryesisht për të qenë pjesë në bordet e drejtimit të këtyre kompanive.

Gjithashtu, pjesëmarrja në programet komunitare si COSME/EEN, Horizon 2020, ERASMUS for Young Entrepreneurs, po shërbejnë si një mbështetje më shumë, që edhe sipërmarrja e grave shqiptare të ndërkombëtarizohet. /Telegrafi/