Mosha mesatare e grave në Maqedoni është 77,2 vjet dhe jetojnë 3,9 vite më gjatë se burrat. Mosha në të cilën martohen është 26 vjet dhe vendosin të lindin një deri dy fëmijë, tregojnë të dhënat statistikore, transmeton Telegrafi.
Në vitin 2014 nga gjithsej 23.596 fëmijë të lindur të gjallë, 48 përqind ose 11.424 janë të gjinisë femërore, përkatësisht në 100 foshnje femra të lindura kanë lindur 106.5 foshnje të gjinisë mashkullore. Emri më i shpeshtë te foshnjat e sapolindura të gjinisë femërore ka qenë Jana.
Në Maqedoni në vitin 2014 kanë diplomuar më shumë femra se sa meshkuj. Të dhënat tregojnë se 5.411 janë femra të diplomuara ose 55,9 përqind e numrit të tërësishëm të studentëve të diplomuar.
Nga femrat e punësuara numri i të cilave arrin 270.599, në sektorin privat janë punësuar 75 përqind. Me orar të plotë të punës janë punësuar 95 përqind. Shkalla e varfërisë te gratë e punësuara arrin 7,8 përqind dhe 35,7 për qind te të papunësuarat.
Statistika tregon se në vitin 2014 pjesa më e madhe e grave janë shpërngulur nga rajoni jugperëndimor në moshën prej 30 deri në 64 vjet. Nga qytetarët e tërësishëm të shpërngulur, 41 përqind ishin gra. /Telegrafi/