Rezarta Delibashzade Krasniqi
Sa herë diskutohet për pjesëmarrjen e grave në tregun e punës dhe jetën publike, mendimi i parë fokusohet te barrierat me të cilat ato përballen. Këto përfshijnë mungesën e mbështetjes për të balancuar përgjegjësitë familjare dhe profesionale, diskriminimin gjinor në vendin e punës dhe mosrespektimin e ligjeve që garantojnë trajtim të barabartë për burrat dhe gratë, veçanërisht në nivel vendimmarrës.
Pavarësisht përmirësimit të lehtë ndër vite, me përqindjen e punësimit të grave që arriti 24,2% ne vitin 2023 (një rritje prej 2,2% krahasuar me paraprakun), shkalla e jo-aktivitetit mbetet jashtëzakonisht e lartë. Plot 75,8% e grave janë jo-aktive në tregun e punës, një shifër shqetësuese krahasuar me 42,2% të burrave. Këto të dhëna pasqyrojnë jo vetëm sfidat ekonomike dhe sociale me të cilat përballen gratë, por edhe nevojën urgjente për politika gjithëpërfshirëse që të adresojnë këto pabarazi dhe të promovojnë pjesëmarrjen aktive në tregun e punës.
Sipas analizave të D4D-së, gratë në Kosovë kryejnë kryesisht punë të papaguara dhe shpesh shihen si përgjegjëse kryesore për kujdesin ndaj fëmijëve dhe të moshuarve. Në përditshmëri, ato kryejnë mesatarisht 6-8 orë punë shtëpiake, si pastrimi dhe përgatitja e ushqimit, ndërsa 33.8% e grave raportojnë se kalojnë 2-4 orë në këto detyra, pa përfshirë kujdesin për fëmijët dhe të moshuarit si një kategori më vete.
Përveç mentalitetit të krijuar nga normat kulturore dhe tradicionale mbi rolet e grave dhe burrave në përgjegjësitë familjare dhe ambiciet për jetën, mungesa e legjislacionit të përshtatshëm dhe mekanizmave efektivë të zbatimit ndikon ndjeshëm te gratë në tregun e punës. Ekuilibri mes “punës dhe jetës” mbetet ende një koncept i largët në tregun e punës në Kosovë, si për gratë ashtu edhe për burrat, ndërsa pabarazia në këtë aspekt pasqyrohet më së shumti në pjesëmarrjen e grave. Mungesa e legjislacionit adekuat bën që lindja dhe kujdesi për fëmijët të shndërrohen në pengesa të mëtejshme për fuqizimin ekonomik, qëndrueshmërinë dhe pavarësinë e grave.
Disavantazhet gjinore në tregun e punës vazhdojnë të rriten, duke përforcuar ndarjen gjinore dhe duke reflektuar një pozitë të pafavorshme për gratë në raport me punësimin dhe përfitimet ekonomike. Kjo situatë thekson nevojën për politika efektive që adresojnë pabarazitë strukturore dhe promovojnë përfshirjen e grave në ekonominë formale. Gjithashtu ka gra të sapo punësuara raportojnë mungesën e rrjeteve mbështetëse gjatë hyrjes së tyre të parë në treg të punës. Kjo thekson rëndësinë e krijimit të iniciativave dhe programeve që promovojnë mentorimin dhe rrjetëzimin për gratë në vendin e punës. Organizatat dhe punëdhënësit kanë një rol kyç në ndërtimin e një mjedisi mbështetës dhe të barabartë, ku gratë ndihen të fuqizuara për të pasur sukses.
Politikat dhe praktikat që trajtojnë ngacmimin seksual, diskriminimin, si dhe që promovojnë diversitetin dhe përfshirjen, ndikojnë ndjeshëm në përvojën e grave në vendin e punës. Krijimi i një kulture mbështetëse është një hap i domosdoshëm për fuqizimin dhe zhvillimin e grave në karrierë. Përtej pozitës së tyre të pafavorshme në fushën e ekonomisë, gratë në Kosovë hasin pengesa të mëdha edhe në përfaqësimin publik dhe në nivelet e vendimmarrjes. Kjo situatë nuk është vetëm rezultat i barrierave strukturore dhe sociale të përmendura më herët, por edhe pasojë e gjuhës diskriminuese dhe mizogjene që përdoret ndaj tyre në hapësirat publike dhe politike. Për shembull, shpesh herë në debate publike ose gjatë fushatave zgjedhore, gratë politikane përballen me sulme të drejtpërdrejta ndaj tyre, pamjes së jashtme ose roleve të tyre familjare, në vend që të vlerësohen për kompetencat dhe idetë që sjellin.
Nga monitorimi i platformave dhe rrjeteve sociale (të realizuar nga D4D) mbi shpërndarjen e gjuhës së urrejtjes kundrejt grave që janë aktive në politikë, tregon se gratë përballen me dhunë dhe ngacmim online më shpesh nga burrat sesa nga gratë (burrat shkruajnë 89.6% të komenteve me gjuhë të urrejtjes kurse gratë 10.4%), dhe shtuar kësaj që rastet e dezinformimit gjinor në media mbledhin mbi 86 reagime për një lajm – shifër tri herë më e lartë se ndërveprimi tipik për të gjitha lajmet.
Një ilustrim konkret i kësaj është pjesëmarrja e ulët e grave në poste kyçe, ku përfaqësimi i tyre në nivel parlamentar apo qeveritar shpesh kufizohet në kuota minimale dhe jo në ofrim të barabartë të hapësirës. Këto kufizime përkeqësohen nga perceptimet tradicionale gjinore, të cilat i shohin gratë më të përshtatshme për role mbështetëse sesa për udhëheqje. Kjo jo vetëm që ndikon në mungesën e barazisë, por edhe privon shoqërinë nga perspektivat dhe kontributet e rëndësishme që gratë mund të ofrojnë në vendimmarrje. Për ta adresuar këtë sfidë, nevojiten politika dhe iniciativa që të nxisin një kulturë respekti dhe barazie në përfaqësimin publik dhe të luftojnë gjuhën mizogjene në çdo nivel.
Andaj, gratë që kanë arritur objektivat e tyre shpesh ndjejnë përgjegjësi për të mbështetur të tjera në të njëjtin sektor, duke u bazuar në përvojat dhe sfidat personale të së kaluarës. Prandaj, është thelbësore të promovohen iniciativa që fuqizojnë gratë, duke krijuar një zinxhir mbështetjeje për të fuqizuar të tjerat.
Fuqizimi i grave duhet të fokusohet në krijimin e një kulture mbështetjeje dhe solidariteti, duke promovuar sukseset e grave si arritje kolektive. Mentorimi dhe udhëzimi i grave të reja që hyjnë në tregun e punës, veçanërisht në industri të dominuara nga burrat, është një hap thelbësor. Përmes ndarjes së përvojave, njohurive dhe rrjeteve, gratë mund të ndihmojnë njëra-tjetrën të përparojnë dhe është e rëndësishme të amplifikohen zërat e grave nga të gjitha përkatësitë, duke promovuar historitë dhe arritjet e tyre si frymëzim për të tjerat.
Avokimi për barazi gjinore duhet të përfshijë mbështetjen për politika që sigurojnë mundësi të barabarta në arsim, punësim dhe pozita drejtuese, si dhe përmirësime në infrastrukturën ligjore për politika më miqësore për familjen. Fuqizimi ekonomik i grave dhe eliminimi i barrierave sistematike janë thelbësore për arritjen e pavarësisë dhe qëndrueshmërisë së tyre. Duke udhëhequr me shembullin personal dhe profesional, gratë mund të frymëzojnë solidaritet dhe të bëhen modele për brezat e ardhshëm.
– Autorja është drejtoreshë ekzekutive në D4D
– Artikulli mbështetet në kuadër të:
Projekti Më Shumë Zgjedhje përmes Politikave Miqësore për Familjen zbatohet nga Instituti Riinvest – Forumi Ekonomik i Grave, i mbështetur nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA) dhe financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA).