Emri i shoqatës “Thirrjet e nënave” të Gjakovës, e cila tubon familjarët e personave të zhdukur dhe të pagjetur, është dëgjuar me qindra mbase dhe me mijëra herë, që nga viti 1999, kur ka përfunduar lufta në Kosovë.
Anëtaret e kësaj shoqate kanë qenë të parat kudo që e ka kërkuar puna – në reagime publike, në protesta, në demonstrata, në parashtrimin e kërkesave, në hartimin e dokumentacioneve dhe librit për krimet serbe dhe në shumë aktivitete të tjera të kësaj natyre, gjithnjë me të vetmin qëllim, që të zbardhet fati i shqiptarëve të zhdukur, të cilët regjimi serb i kishte ekzekutuar, por për të humbur gjurmët e krimit të vet ua kishte humbur edhe trupat e pajetë.
Ishin këto nënat dhe motrat tona që u ofenduan rëndë nga ish-ministri serb i Kosovës, Jabllanoviq, por që pastaj me këmbëngulësinë dhe vendosmërinë e vet në protesta e detyruan atë që të japë dorëheqje.
Kanë trokitur në shumë dyer, por lëmoshë nuk kanë kërkuar
“Është e vërtetë se kemi qenë ndër të parat kudo që është dashur të ngrihet zëri kundër krimeve që forcat serbe i kanë bërë në Kosovë dhe në favor të angazhimeve dhe luftës për zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Kjo është plotësisht e kuptueshme, sepse kushdo që ka ose ka pasur familjarë të vet të zhdukur, e ka plotësisht të qartë se për ne familjarët e të zhdukurve liria ka vonuar, ka ardhur shumë më vonë se për të tjerët, bile për disa ende nuk ka ardhur”, thotë Suphije Tafarshiku, njëra prej anëtarëve më aktive të shoqatës
“Thirrjet e nënave”, e cila në luftën e fundit ka humbur tre vëllezërit, nipin dhe dhëndrin. Nënat gjakovare, gjithnjë me qëllim që të realizojnë kërkesat e tyre të drejta dhe legjitime, kanë trokitur në shumë dyer, të personaliteteve dhe organizmave vendorë e ndërkombë- tarë.
Kanë këmbëngulur që për asnjë moment angazhimet të mos prajnë, derisa të mos zbardhet fati edhe i personit të fundit të zhdukur, dhe, siç thonë vetë ato, në shumë raste kanë pasur sukses, por gjithsesi nuk janë plotësisht të kënaqura, pasi në Kosovë vazhdojnë të jenë edhe mbi 1.600 veta në listat e të pagjeturve. Kërkesat e nënave gjakovare përherë kanë qenë në interes të përgjithshëm, bile edhe kombëtar, dhe asnjëherë në interes të ngushtë, individual apo grupor.
“Jo, asnjëherë nuk kemi kërkuar ndonjë privilegj apo leverdi individuale ose grupore, pra asnjëherë nuk kemi kërkuar lëmoshë, sepse kjo nuk është në karakterin tonë”, shpjegon zonja Tafarshiku.
Mezi e gjetën përkrahjen! Por, ato, nënat gjakovare, krahas angazhimit për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, kishin edhe obligime të tjera, kishin obligim që të kujdesen për anëtarët e gjallë të familjeve të tyre. Për këtë nevojitet punë, në ç’drejtim ato nuk e kishin edhe përkrahjen e duhur.
Ato këmbëngulnin se nuk duan lëmoshë, por duan punë që do të mundësonte përfitim të dyfishtë – sigurimin e mbijetesës dhe mundësinë që për një moment, atëherë kur janë të angazhuara në punë, të harrojnë brengat e mëdha që kishin.
“Shumë ide më silleshin në kokë, por gjithnjë, në momentin e fundit, dilte diçka që më pengonte ta realizoi atë ide. Sigurisht se pengesa kryesore ishte mungesa e mbështetjes financiare në rrugën e realizimit të idesë. Më në fund jam përcaktuar që të hapim një punëtori të ëmbëlsirave, për të cilën, fatmirë- sisht, hasëm në mirëkuptim dhe në mbështetjen edhe të Komunës dhe ja tash e disa muaj me sukses po funksionin punëtoria ‘Nënat duararta’, ku janë të angazhuara vetëm gratë që në familjen e tyre kanë pasur persona të zhdukur”, ka thënë për gazetën “Suphije Tafarshiku.
Aktualisht në këtë punëtori punojnë katër veta, por, siç na u tha, planifikohet që ky numër të rritet, varësisht nga përkrahja që do ta hasin te konsumatorët gjakovarë shkruan Kosova Sot.